Secondary Adv

Kompanitë shumëkombëshe, rregulla të reja për raportimin tatimor pas anëtarësimit në BE

Shqipëria përgatit rregulla të reja për raportimin dhe shkëmbimin automatik të informacionit tatimor të grupeve shumëkombëshe.

Kompanitë pjesë e grupeve shumëkombëshe që operojnë në Shqipëri do të përballen me rregulla më të plota për raportimin tatimor dhe shkëmbimin ndërkombëtar të informacionit pas anëtarësimit të vendit në Bashkimin Europian. Ministria e Financave ka propozuar ndryshime në ligjin “Për procedurat tatimore”, me synim përafrimin e plotë me Direktivën e BE-së 2016/881 për shkëmbimin automatik të detyrueshëm të informacionit tatimor.


Ndryshimet plotësojnë kuadrin e miratuar në vitin 2023 për raportimin “për çdo vend” të grupeve shumëkombëshe dhe synojnë kalimin nga përputhshmëria e pjesshme në atë të plotë me rregullat europiane. Ndërhyrjet kryesore lidhen me vendosjen e mekanizmit të raportimit dytësor dhe shkëmbimin automatik të këtij informacioni ndërmjet administratave tatimore.


Rregulla të reja kundër shmangies dhe evazionit tatimor

Sipas relacionit, zhvillimi i strukturave komplekse ndërkombëtare të planifikimit tatimor ka rritur rrezikun e shmangies dhe evazionit tatimor. Kuadri i ri synon të fuqizojë mekanizmat e raportimit dytësor, veçanërisht kur entiteti mëmë përfundimtar i një grupi shumëkombësh ndodhet në një juridiksion që nuk bashkëpunon për shkëmbimin e informacionit. Projektligji parashikon gjithashtu rregulla për entitetin mëmë zëvendësues dhe rastet e “dështimit sistemik”.


Një ndërhyrje tjetër është detyrimi për raportim dytësor nga entitetet përbërëse rezidente në Shqipëri kur entiteti mëmë përfundimtar jashtë vendit nuk raporton ose kur juridiksioni i tij nuk shkëmben informacion tatimor. Parashikohen gjithashtu njoftime të detyrueshme nga entitetet vendase dhe një afat ligjor 15-mujor për shkëmbimin automatik të informacionit ndërmjet autoriteteve kompetente.


Pragu mbetet 105 miliardë lekë

Projektligji saktëson se pragu për grupet shumëkombëshe të përjashtuara nga raportimi është 105 miliardë lekë. Kjo shumë nuk ndryshon, por në ligj do të sqarohet se është përafërsisht ekuivalente me 750 milionë euro, sipas kursit të janarit 2015.



Raportimi “për çdo vend”, i njohur si Country-by-Country Reporting, synon t’i japë administratës tatimore një panoramë të aktivitetit të një grupi shumëkombësh në juridiksionet ku operon. Mekanizmi përdoret për analizimin e rrezikut të transferimit të fitimit mes vendeve dhe identifikimin e rasteve kur fitimet mund të zhvendosen në juridiksione të tjera, ndërkohë që aktiviteti ekonomik zhvillohet në një vend tjetër. Relacioni e lidh këtë mekanizëm me rritjen e transparencës fiskale, parandalimin e erozionit të bazës tatimore dhe zhvendosjes së fitimit, si dhe analizën e rrezikut të transferimit të çmimit.


Kur kompanitë shqiptare duhet ta dorëzojnë vetë raportin

Sipas projektligjit, një kompani rezidente në Shqipëri, pjesë e një grupi shumëkombësh, mund të detyrohet ta dorëzojë vetë raportin “për çdo vend”, edhe kur nuk është kompania mëmë përfundimtare. Ky detyrim lind kur kompania mëmë nuk është e detyruar të raportojë në juridiksionin ku është rezidente, kur ekziston një marrëveshje ndërkombëtare me Shqipërinë por mungon një marrëveshje efektive për shkëmbimin automatik të raporteve, ose kur juridiksioni i kompanisë mëmë ka një “dështim sistemik” në shkëmbimin e informacionit.


Në këto raste, kompania shqiptare duhet t’i kërkojë kompanisë mëmë të gjithë informacionin e nevojshëm. Nëse informacioni nuk i jepet i plotë, ajo duhet t’i dorëzojë administratës tatimore informacionin që ka në dispozicion dhe ta njoftojë se kompania mëmë ka refuzuar të sigurojë të dhënat e nevojshme.


Një kompani mund të raportojë për të gjithë grupin

Kur një grup shumëkombësh ka disa kompani rezidente në Shqipëri, projektligji lejon që njëra prej tyre të caktohet për të dorëzuar raportin në emër të të gjitha kompanive të grupit që janë subjekt i detyrimit. Projektligji parashikon edhe konceptin e “entitetit mëmë zëvendësues”, një kompani e grupit që caktohet për të paraqitur raportin në vend të kompanisë mëmë përfundimtare. Nëse raporti dorëzohet rregullisht nga ky entitet dhe ekzistojnë marrëveshjet e nevojshme për shkëmbimin e informacionit me Shqipërinë, kompania shqiptare mund të përjashtohet nga detyrimi për ta paraqitur vetë raportin.


Kompanitë rezidente në Shqipëri, pjesë të një grupi shumëkombësh, duhet gjithashtu të njoftojnë administratën tatimore nëse janë kompania mëmë përfundimtare, kompania mëmë zëvendësuese ose kompania e caktuar për raportim. Nëse nuk kanë asnjërin prej këtyre roleve, duhet të deklarojnë identitetin dhe rezidencën tatimore të kompanisë që do të dorëzojë raportin.


Tatimet do ta shkëmbejnë automatikisht informacionin

Projektligji shton një nen të posaçëm për shkëmbimin automatik të informacionit. Pasi administrata tatimore shqiptare të marrë raportin, duhet ta përcjellë automatikisht te juridiksionet ku kompanitë e tjera të grupit janë rezidente për qëllime tatimore ose ushtrojnë aktivitet përmes një selie të përhershme. Afati për shkëmbimin është 15 muaj nga dita e fundit e vitit fiskal të grupit shumëkombësh.


Sipas relacionit, mekanizmi synon të forcojë kapacitetin e administratës tatimore për analizën e rrezikut të transferimit të çmimit, të rrisë pajtueshmërinë tatimore të grupeve shumëkombëshe dhe të harmonizojë sistemin shqiptar edhe me standardin e Masës 13 të projektit BEPS të OECD-së.


Rregullat e reja zbatohen pas anëtarësimit në BE

Megjithëse ligji parashikohet të hyjë në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare, dispozitat e reja nuk do të prodhojnë menjëherë efekt. Projektligji përcakton se ato do të fillojnë të zbatohen në datën e aderimit të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Europian. Detyrimet për raportimin dytësor dhe shkëmbimin automatik të informacionit janë pjesë e përgatitjes së sistemit tatimor shqiptar për funksionimin si vend anëtar i BE-së dhe lidhen me kërkesat e Kapitullit 16, “Tatimet”.


Për zbatimin e ndryshimeve do të ngarkohen Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit. Sipas relacionit, projektligji nuk parashikohet të ketë efekte financiare në buxhetin e shtetit.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat